Home / Features / Genocide Awareness / Shqiptaro-Amerikanët për Çështjen Çame

Shqiptaro-Amerikanët për Çështjen Çame

Bilal Xhaferri, zemreku i orës së lirisë së Çamërisë

Zef Përgega 26/6/2016

Zef Pergega Cameria

Kontributi i diasporës shqiptare të Amerikës, për çështjen e pazgjidhur çame është i moçëm. Ai e ka moshën mbi 100 vjeçare. Kjo çështje ekziston se ekzistojnë dhe nuk shuhen çamët. Ekziston se dhimbja është e pranishme në zemrat e nënave çame. Ekziston se është në jetë gjuha e tyre, që flet për një tokë, për një pronë për një lis e për një shkëmb nga u hodhën nuset për të mos rënë në dorë të gjaksorit, për një varr të të parëve rrethuar me gur prej Çamërie që edhe sot me heshtjen e flet atë gjuhë perëndie.

Ajo ekziston e mbytur në gjak e në lot, e mbetur e shkretë, pa zot!

Tragjedia çame nuk është gjë tjetër, vetëm një përsëritje e dramës kosovare mbi tri aktet e gjakut, Shpasurim-Shpërngulje-Shfarosje, shkruante Noli.

Çamëria ekziston se ajo është djepi i burrave të mëdhenj sepse është atdheu i Pirros, është tokë e krishterimit, e cila i tha Selisë së Shenjtë Papën Eleuteri që në gjuhën greke do të thotë Liria, është dheu i atit të Shën Donatit dhe i humanistit me famë botërore Mihal Trivoli, se aty eshte themeli i kullës së Marko Boçarit dhe e qindra kapedanëve që i dhanë lirinë tokës helene e për vete morën Kalin e Trojës. Tani çështja çame nga një muze i harruar nëper skutat e historisë, po del në suprinën e tribunave ndërkombëtare e deri në Gjykatën e Hagës…

Teza se çamët ishin bashkëpunëtorë të fashizmit është anakronike dhe pa asnjë bazë historike. E vërteta e spastrimit etnik mbi çamët ka nisur që në vitin 1913, pra 27 vjet para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore. Çamët gjatë okupimit nazi-fashist nuk patën as qeveri dhe as parti, madje as grupe që të renditeshin në anën e pushtuesit. Ata luftuan dhe dhanë jetën për tokën e tyre dhe në mbrojtje të grekëve. Sot në Greqi qeveria e të cilës nuk e pranon çështjen çame ka në parlamentin e vet parti naziste. Por dita do të vijë, kur kufijtë mes shqiptarëve do të shuhen e do të treten, bashkë me Kosovën e Çamërinë, me Malësinë e trojet tjera shekullore do të mbeten. Se Fishta i ka rënë më herët Lahutës:

Po, por nesër, me nihmë t’Zotit,
Do ta bâjm prap Shqypnië t’lirë
Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,
Prej Tivarit m’Manastirë;

Një çame trokiti në portën e madhe të Lirisë. Lejla Dino, kryetare e Shoqatës Shqiptaro Amerikane më 20 nëntor 1919 i shkruante një letër zonjës së parë të Amerikës që të influenconte tek Presidenti Wilson që tokat shqiptare të mos grabiten dhe Çamëria të mbetej në shtetin shqiptar. Përkushtimi i diasporës shqiptare ka nisur që në vitin 1918 kur çamët e Amerikës e ndezën zjarrin e bashkimit dhe ai nuk do të shuhet kurrë deri sa ta shohim të valëvitet flamuri kuq e zi në frëngjitë e kalasë së Janinës, siç e dëshiron edhe patrioti malësor Gjok Martini. Periudha 1918-1940 në Amerikë është e mbushur plot aktivitete për Çamërinë sidomos me memorandume, me konferenca, demostrata dhe letra dërguar të gjitha qeverive dhe personaliteteve me të larta botërore e amerikane.

Bilal_Xhaferri

Në tetor të vitit 1974 krijohet në Çikago “Lidhja Çame” Detyra kryesore e kësaj organizate ishte të deshmonte para botës se çamët kudo që janë, janë gjallë e plot energji për cështjen dhe kauzën e lirisë së tyre. Kryetari i parë i saj njihet patrioti Selfo Hoxha, me anëtarë Dragon Idrizi, Hamza Çami, Selfo Hysaj dhe Bilal Xhaferri. Po në këtë vit pa dritën e botimin revista “Krahu i Shqiponjës” me botues poetin dhe shkrimtarin Bilal Xhaferri.

Bilali e gdhendi në art çështjen  çame. Ai është arkitekti i fjalës së lirë në diasporë, njeri i akteve heroike në përballjen me diktaturën dhe grupimet antikombëtare në Amerikë e kudo.

Pati një lidhje të fortë me malësorë dhe aty mes tyre gjente forca për të punuar, për ta ndërkombëtarizuar robërinë e popullit te tij. Unë mund te them se ai ishte zemreku i orës së lirisë së Çamërisë. Kur ishte ne pyetje çështja e Kosovës ai e vuri në shërbim të saj. U lidh fort me kishën katolike Zonja Pajtore me Dom Prek Ndrevashën, i cili si në predikime e fjalime e prezantoi çështjen çame, madje aq fort në revisten e tij “Rreze Shëlbuese” Ai pati mik të ngushtë Prof Prek Grudën, po ashtu Gjok Martinin dhe gazetën e tij “Lajmëtari Shqiptar” Nuk duhet harruar aktivisti, poeti dhe fotografi Vasel Ujkaj, i cili pasqyronte jetën e komunitetit dhe demostrata në shtypin e kohës dhe në revistën “Krahu i Shqiponjës” Poezia e vetme e Bilal Xhaferrit që u botua ne gazetën “Zani i Rinisë” ka qene “Baladë Çame “ më 1969, por litari i lagur ideologjik ua ngushtoi frymën vargjeve të lira…

Dhe çamët ikin. Po ku venë? Ku shkojnë vallë me trastën pa bukë? Toka nuk qesh më. Ylberi është vetëm një përshëndetje lamtumire. Fara dhe parmenda janë të ngrira në plisin e kthyer e të zhuritur. Qetë e kularit i ka therë greku e tym e zjarr i ka lallur kullat. Qentë i kane helmuar e bagetitë i kane grabitur. Zemra dhe shpirti i popullit kukurec i pjekur në bajoneta. Llajkat e dyerve janë bërë si vela të shqyera nga furtunat. Po si e thote poeti çam Xhaferri që pas shpine ka bajoneten e qytën e ushtarit grek:

Na e tregojnë drejtimin plumbat
Që vërshëllojnë në errësirë
Na i ndriçojnë rrugët flakët
Që të gjithë vendin e kanë përpirë..

Që të mos ndodhi më kjo mënxyre gjaku jemi mbledhur sot nga te gjitha krahinat se çështja çame nuk është sinore fshati po cështje kombëtare. Se pikërisht per këtë me në krye Gjok Martinin si frymëzues organizuam dy Akademi një në Detroit më 20 korrik 2003 dhe një në New-York në shtator 2003 dhe po një demonstrate në Detroit. Në këto aktivitete kontriboi edhe aktivisti Luigj Gjokaj. Për këto veprimtari ka shkruar edhe New York Times se Bilal Xhaferri më parë e kishte bërë cështjen came present në këtë redaksi prestigjioze.

Sot është kohë tjetër. Duhet shpejtuar sa më shume te jete e mundur. Ndaj nga kjo akademi le të bashkohemi dhe t’ia nisim punës për prezantimin e kësaj çështjeje në çdo tryezë, duke përdorur të gjitha format demokratike dhe argumentuese.

About AAOC

Check Also

Genocidi Vazhdon: Autoritetet greke s’e lejojnë të kthehet në Athinë: Ke lindur në Çamëri

Sa herë që marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë tensionohen, Athina zyrtare duket se e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *