Home / Uncategorized / SHBA: Michigan, përkujtohet 72 Vjetori i gjenocidit grek ndaj popullsisë çame

SHBA: Michigan, përkujtohet 72 Vjetori i gjenocidit grek ndaj popullsisë çame

Beqir Sina/Besim Dervishi

MICHIGAN: Më 26 qershor, në qytetin e Taylor – në Michigan (SHBA), është përkujtuar genocidi grek kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë.

Organizata Shqiptaro Amerikane “Çamëria”, në SHBA, ka organizuar këtë akademi, në kuadër të kësaj date përkujtimore, ku përkujtohen genocidi dhe terrori grek kundër popullsisë çame.

Pasi u kënduan himnet e dy vendeve të SHBA-së dhe Shqipërisë si dhe u mbajt një minutë heshtje në kujtim të martirve dhe viktimave të pafajshme në Çamëri.

Si fillim fjalën e mbajtën përfaqësuesit e tre komuniteteve fetare dega Michigan zoti Dervish Elitoni, Imami Shuaip Gërguri dhe Meshtari i Kishës Zonja Pajtore Dom Ndue Gjergji të cilët theksuan domosdoshmërinë e unitetit të faktorit shqipëtar në trojet etnike apo dhe jashtë tyre, si dhe ndërkombëtarizimin e çështjes çame.

Akademinë Përkujtimore e hapi zoti Arjan Rexha, kryetar i Organizatës Shqiptaro-Amerikane “Çamëria” dega Michigan. Ai  bëri një panoramë të shkurtër të historisë së genocidit dhe persekutimin e egër dhe barbar nga ana e autoriteteve shoviniste greke, dhe ftojë pjesmarrsit për diskutim rreth kësaj çështje.

“Parrulla e ngritur në Francë – në stadiumin e ku po zhvillohej Euro 2016, është fruti i sensibilizimit për këtë çështje, dhe do të vazhdojë fuqishëm kudo në botë. Lufta jonë diplomatike , juridike dhe politike tashmë ka marrë udhë, megjithse ne jemi të vetëdijshëm se ajo nuk do të jetë një rrugë e shkurtër dhe e lehtë. Ajo është një luftë që ia vlen për të luftuar, dhe për t’u betuar se do t’a çojmë atë deri në fund të saj.”

Kthim mbrapa nuk ka më! Çamëria jonë është historia dhe e kaluara e pandarë e kombit shqiptar, i cili e ëndërron dhe lufton për të. Çamëria, është toka e lashtë Arbërore që ne nuk e falim kurrë! Për ne kthimi në Çamëri është kthimi tek etërit tanë, të lavdishëm por, mbajtja e Camërisë nën pushtim “është njolla më e madhe e turpit të gjoncidit që vazhdon të qendrojë mbi supet, tuaja’”

“Sot për sot, në planin politik botëror, Çamëria, është akt-akuza më e fuqishme dhe e drejtë e kombit shqiptar, që pret vetëm zgjidhje.Çamëria është zëri më i fuqishëm që do të “dredhë” Parlamentin Europian, ajo është tashmë edhe një “tribunë” e cila po shpërthen edhe në Senatin Amerikan, ku roli i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i madh dhe shërben si një urë ndërlidhëse, nga vetë fakti që jetojmë e punojmë në këtë vend të bekuar, kampion i lirisë, demokracisë dhe lirive e të drejtave të njeriut kudo në botë”.

27 qershori është regjistruar në kalendarin e kombit si dita e genocidit të shovinizmit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Më 27 qershor 1944 forcat e Regjimentit të 16-t të Divizionit të X të EOEA-s në Greqi nën komandën e kolonel Vasil Kamarës të udhëhequra nga Kranjaj me ndihmës Lefter Strugari, avokat Stavropullos, Ballumi, Kaço, Zoto, Pantazejtë, etj., hynë në qytetin e Paramithisë.

Në kundërshtim me premtimet e dhëna dhe marrëveshjes së bërë midis Myftiut Hasan Abdullai nga njëra anë dhe Shopera me dhespotin e Paramithisë nga ana tjetër, si agjentë të Zervës, filluan masakrat. Burra, gra dhe fëmijë të pambrojtur qenë objektivi i monarkofashistëve grekë. Numri i të masakruarave në qytetin e Paramithisë dhe rrethe arrin në 600 vetë.

Trojet etnike të Çamërisë u zbrazën nga banuesit e saj nën dhunën që mbillte vdekja dhe mijëra refugjatë kapërcyen kufirin për t’u sistemuar në Shqipërinë komuniste. Gjithçka nisi me përcaktimin e kufijve në vitin 1931 dhe mbetjes larg trungut shqiptar të krahinës së Çamërisë.

Dhuna shpërtheu gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, kur qeveritë e ndryshme greke shpërngulën me forcë qindra banorë të krahinës së Çamërisë nga trojet e tyre etnike, duke i dëbuar drejt Turqisë me pretekstin se ishin turq, për shkak të besimit mysliman. Por, kjo shpërngulje masive nuk do të përfundonte këtu. Genocidi grek i nisur në qershor të vitit 1944, do të ishte fatal për popullsinë shqiptare në krahinën çame. Shqiptarët e kësaj krahine, ashtu si edhe gjithë Shqipëria, u akuzuan se kishin bërë aleancë me fashistët në dëm të grekëve. Dhe për këtë duhet të paguanin.

Më famëkeqi ishte një gjeneral i quajtur Zerva. Forcat e tij detyruan afro 250.000 shqiptarë të lënë trojet e të parëve të tyre dhe të largohen. Që t’i detyronin të largoheshin, ndaj popullsisë çame është ushtruar dhunë që zakonisht përfundonte me ekzekutime masive.

Akademi perkujtimore Cameria MICHIGAN

Afro 6.000 çamë u masakruan, u vranë ose u gjymtuan. Trojet e tyre etnike si Margëlliçi, Gumenica, Paramithia, Filati, Konica e të tjera mbetën të shkretuara. Dëmet materiale ishin të pallogaritshme. Shtëpitë u shkatërruan, gjithçka kishin u detyruan ta braktisin.

Kështu popullsia çame mori rrugën drejt Shqipërisë, ku u vendos në qytete të ndryshme të vendit, si në Lushnje, Rrogozhinë, Shijak, Fier, Vlorë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Sarandë, etj.

Në kuadër të këtij aktiviteti përkujtues janë mbajtur fjalime, nga drejtuesit e kësaj organizate, veprimtarë të dalluar të çështjes çame, profesorë, studiues, historianë, gazetarë dhe pjestarë të familjeve, që kanë përjetuar në familjet e tyre këtë persekutim të egër e barbar nga ana e autoriteteve shoviniste greke, lider të çështjes Çame në Shtetet e Bashkuara, dhe që janë edhe drejtuesit e lartë të Organizatës Shqiptaro-Amerikane “Çamëria” në SHBA. Më pas zoti Ilir Ademi nga Organizata Shqiptaro-Amerikane “Çamëria” mbajti një fjalim të shkurtër me anë të të cilit pasqyroi mjetet dhe rrugët juridike të cilat po ndiqen nga Organizata Çamëria për ndërkombëtarizimin dhe zgjidhjen  e kësaj çështjeje nga institucionet ndërkombëtare të drejtësisë si dhe ato Europiane. Më tej tubimin e përshëndeti  zoti Luigj Gjokaj përfaqësues i Shoqatës “Malësia” Dega Michigan, në fjalën e tij ai paraqiti një përmbledhje të shkurtër të gjendjes në trojet shqiptare jo vetëm në Çamëri por edhe ne Mal të Zi, Iliridë, Preshevë. Një fjalim përshëndetës mbajti dhe zoti Gani Vila, biznesmen si dhe Drejtor i “Albanian TV of America” në Michigan, SHBA. Zoti Vila foli rreth masakrave monstruoze të  orkestruara, organizuara dhe komanduara nga  andartët grekë gjatë viteve 1913 dhe 1914 në Shqipërinë e Jugut kryesisht ne rajonin e Panaritit të Korçës ku brenda një nate u ekzekutuan pa meshirë 420 burra, fëmijë, pleq dhe gra.

Zoti Vila  kritikoi apatinë që ka pushtuar institucionet përgjegjëse të Tiranës zyrtare për të ndërkombëtarizuar dhe zgjedhur përfundimisht çeshtjen çame sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare. Ndërsa veprimtari zoti Besim Dervishi bëri nje panoramë  historike të kësaj çështje qysh me marrëveshjen famëkeqe të vitit 1844,  Jani Koleti – Ilia Garashanini, Kongresin famëkeq të Berlinit 1878, rolin e fuqive të mëdha në këtë Kongres, pushtimin e Shqipërisë së Poshtme (Epirit) nga ushtria Greke ne Mars 1913, masakrat e andartëve në Jugun e Shqipërisë gjatë viteve 1913- 1914, Traktatin e Lozanës 1923. Në fund fjalën e mbylljes e mbajti zoti Arjan Rexha,  Kryetar i Organizatës Shqiptaro-Amerikane “Çamëria” Dega Michigan  i cili theksoi se lufta diplomatike dhe juridike për Çamërinë tani ka filluar dhe do ta çojmë atë deri në fund deri tek vizitat e organizuara në Çamëri.

Gjatë kësaj Akademie Perkujtimore pjesmarrësit ishin në një mendim se dy shtetet shqiptare dhe institucionet e tyre diplomatike duhet të angazhohen më shumë dhe seriozisht në luftën diplomatike dhe juridike për zgjidhen e çështjes Çame.

Me rastin e kësaj akademie përkujtimore, aktivisti i çështjes çame z. Veli Veliu, pas takimit, shtroi një pritje përkujtimore në në nderim të kësaj dite, përgatitur me ushqime të krahinës së Çamërisë, nën shoqërinë e valleve dhe këngëve të bukura çame,  në restorantin e tij në adresën në qytetin Livonia, Michigan.

About AAOC

Check Also

ÇAMËRIA NUK HARROHET KURRË!!

Sali Bollati Autoritetet greke vazhdojnë ende sot të mohojnë masakrat e ushtruara para mbi 70 …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *