Home / Uncategorized / ÇAMËRI SHPIRTI T’LOTON – Nga LEK GJOKA
suli albania chameria 1821

Marko Boçari, Pasardhësi i Skënderbeut dhe i Pirros, hero i Revolucionit Arbëror të Greqisë

Marko Boçari (1788-1823) ishte një kapiten suliot i luftës guerrile dhe Hero i Revolucionit Arbëror të Greqisë që kishte pjesëmarrje të madhe të shqiptarësh, të njohur edhe si arvanitë. Marko Boçari është një ndër figurat kombëtare më të nderuara për grekët, dhe portretet e tij mbushin shpesh klasat, zyrat e administratës e të qeverisë dhe baraka ushtarake; pa llogaritur fare se ai vinte nga fiset me gjak të pastër shqiptar të Sulit të Çamërisë.

Gjyshi i tij ,Jorgo Boçari u shpërngul me gjithë fisin e tij nga Suli në fshatin Vulgarel, që i u dha në dorëzim nga Ali Pashai i Janinës, dhe Markoja jetoi atje deri më 22 dhjetor 1803, kur fisi i Boçarëve dhe suljotëve të tjerë që kishin gjetur strehë n’atë vend dhe arrinin gjithsej deri në 1148 vetë, nga frika se mos i sulmonte ushtria e Ali Pashës u vendosën në shkrepat e Selcës së Agrafëve. Me 20 prill 1804 suliotët i bënë ballë sulmit që prisnin dhe pas një rrethimi tremujor patën fund të dhimbshëm. Pjesa më e madhe e suljotëve u vranë e u zunë robër. U zu rob i plagosur dhe Noti Boçari, vëllai i t’atit të Markos, të cilin Aliu e mbylli në kështjellën e Këlcyrës dhe, më vonë, kur e la të lirë, shkoi e u strehua në Korfuz. Kësaj katastrofe i shpëtuan 52 vetë, e dy prej tyre ishin Markua, atëherë 14 vjeçar, me t’atin e tij, të cilët nepërmjet Pargës, u hodhën në Korfuz, bashkë me suljotë të tjerë që kishin gjetur strehë në Pargë pas shkatërrimit të Sulit. Në Korfuz Markua u martua me Krisulla Kallogjerin, me të cilën pati edhe 4 fëmijë.

Kur gjendej i internuar në Korfuz, Marko Boçari mësoi greqishten dhe bëri të famshmin “Fjalorin dygjuhësh të greqishtes popullore dhe shqipes së thjeshtë”më 1809 që e shkruajti Markoja vetë me ndihmën e babait të tij Kiço Boçari (1754-1813), xhaxhait Noti Boçari (1759-1841) dhe vjehrrit të tij Kristaq Kallogjeri nga Preveza. Ky fjalor ishte përfundimi i nxitjes së konsullit francez Pukëvili, siç pretendonte francezi vet, përpjekje të mësojnë suljotët shqiptar greqishtë dhe të merren vesh me grekërit. Megjithatë Marko Boçari është autori i fjalorit të thjeshtë të parë greko-shqip. Fjalori i Marko Boçarit lindi si pasojë dhe e ngjarjeve që po kalonte Greqia, ku mbas lënieve të armëve arvanitët duhet t’i përshtateshin jetës civile shoqërore, që për ta ishte e vështirë.  Në majin e 1819-ës dorëshkrimi i Fjalorit të Markos u dorëzua në bibliotekën Kombëtare në Paris nga Pouqueville-i. Është e mundshme që konsulli francez në Janinë në kohë t’Ali Pashës, të ketë marrë leksione shqipeje nga Markua. Markoja mësoi në Universitetin e Korfuzit, të hapun nga grekofili anglez Lordi Guilford, shkollë e njohun nga grekët si “Akademia e Jonit”. Është e mundur që në 24 faqjet e para të fjalorit të Markos të ketë pasur ndonjë lavdërim për anglezët, faqje që janë zhdukur apo censuruar ndoshta nga Pouqueville-i që ishte përfaqsues e flamurtar i interesave franceze në rajon.

stylos_fjalori_marko_bocarit

Autor i librit të ribotuar “Fjalori i Marko Boçarit” është çami nga Preveza Niko Stylos. Bashkim Kuçuku, redaktori i këtij fjalori shprehet me këto fjalë:

“Natyrisht me këtë fjalor Marko Boçarin nuk e lidh shkenca, por gjuha amtare, shenja e pashlyeshme e identitetit të parë dhe të përjetshëm. Fjalori i tij është dygjuhësh, greqisht- shqip. Greqishtja është gjuha e arsimimit, e kulturës dhe e të folurit jashtë trojeve shqiptare, ndërsa shqipja gjuha amtare, e fisit dhe e tërë bashkësisë së vet”.

Fjalori i një gjuhe të stërlashtë në të cilin luftëtari shqiptar nga Suli i Çamërisë Marko Boçari tregon gjithë gjendjen e gjuhës së gjallë të folur në fillim të shekullit të XIX, pahit një cilësi të panjohur të heroit legjendar të luftës për çlirimin e Greqisë. Fjalori greqisht-shqip i Marko Boçarit është botuar nga shtëpia botuese “Arbëria”.  Fjalori ka rëndësi të veçantë se shpreh shumë elementë të gjuhës shqipe në dialektin e çamërishtes. Ky fjalor shërbeu edhe si mjet politik për të afruar shqiptarët me grekët. Në atë kohë tregëtia në zona të gjera të Ballkanit bëhej në gjuhën greke. Kështu lindi nevoja e një fjalori dy gjuhësh dhe arvanitasit në një farë mënyre u detyruan që të mësonin greqishten që po fitonte terren si gjuhë e tregëtisë në Ballkan. Vetë botuesi i fjalorit të Marko Boçarit, Vasil Guda, vëren se Boçari ishte i gjysmë-arsimuar siç dëshmohet në letërkëmbimet e tij gjatë Kryengritjes Arvanitase të 1821-shit. Markoja i jepte mësime greqishteje ushtarëve shqiptar të regjimentit që kishin formuar francezët në Korfuz me burra çamë e moraitë (nga Morea). Në 1813 jetonte në Janinë, jo si pend i Ali Pashës por si qytetar i lirë, me të atin. Marko Boçari u vra duke luftuar më 9 gusht 1823 në afërsi të qytezës së Karpenisit.

Historiani Kristofer Perrevoj edhe pse u vesh Suliotëve trimërinë e Grekëve të lashtë, ai nuk bën askurrfarë pohimi që ata ishin pasardhësit e tyre. Kristofer Perrevoja mjaftohet me të thënën se Suli ishte i banuar nga dhiarët (barinjtë) e katundeve përreth. Megjithatë, që Suliotët ishin Shqiptarë të krishterë, pasqyrohet qartas në shumë burime. Prej tyre, Jani Lampridi, 1971, në bleun e III, ff.22, 27, dhe në bleun e X, f.20 shpreh faqeza origjinën shqiptare të banorëve të parë të Sulit: “Suli ishte një luftëtar dhe kryetari i fisit të Çamëve, të cilët janë njëemërsh me krahinën që quhet po kështu.” Suliotët shfaqen gjithashtu në muzikën folklorike arvanitase: në një këngë trimërishte që lartëson zbritjen e trupave me Suliotë, dhe Himariotë të shpërngulur – që ishin grumbulluar nga admirali rus Sin’javin në Ujdhesat e Jonit si dhe në Tenedho, më 1807 – dhe ku ata quhen ‘Arvanitë’ dhe ‘Shqiptarë’. A. Bope, 1914, f.219; K. Rados, 1916, f.101-108. Edhe arkivat venedikase ruajnë mbiemrin Suli që mbahej nga shumë prej ushtarëve që përbënin trupat e stradiotëve që Venediku punësonte për të mbrojtur pronësitë e veta në Greqi. K. Sathas, 1890, bleu i IX, në ff.123, 337, 357, 354, 356 gjejmë emrat Pjetër Suli, Dhima Suli, Nikollë Suli, Gjon Suli, Magjot Suli, ushtarë që në shekullin e XVI ishin pjesë e njësisë të stradiotëve të Monemvazisë.

Megjithë ngarkesat politike që mbart nga shteti grek sot, Marko Boçari ishte dhe do të mbetet figurë heroike e strateg me guxim dhe virtyte të larta të një luftëtari shqiptar, njëlloj si paraardhësi i tij i lavdishëm, Pirro i Epirit dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

About AAOC

Check Also

1908 – Hapja e shkollës së parë shqipe në Filat të Çamërisë

Viti 1908, hapja e shkollës së parë shqipe në Filat të Çamërisë SHKRIM-KËNDIMI DHE SHKOLLA …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *