Home / Features / LUL ÇAPARI, kapedani çam i Luaratit

LUL ÇAPARI, kapedani çam i Luaratit

Nga Gëzim Zilja
Lul Çapari, ishte nga dera e famshme e Çaparenjve, të fshatit Luarat në prefekturën e Margëllëçit. Si luftëtarë të tjerë çamë, qysh në moshë të re, ka qenë në shërbim të Ali Pashë Tepelenës. Më vonë në vitin 1847 mori pjesë në “Besëlidhjen Shqiptare”. Anëtarët e Besëlidhjes i dërguan një letër mbretit Otto të Greqisë për ndihmë, që me gjithë premtimet nuk mbërriti kurrë. Letra u firmos nga 89 krerë të Besëlidhjes, ku nga krahina e Çamërisë spikasin emrat e Lul Çaparit, Muhamet Abazit, Muho Pronjos, Zahir Pronjos, Xhafer Demit, Ahmet Dinos, Muharrem Behlulit, Latif Elmazit, Xhate Selfos etj.
Kënga thotë:
Shqiptarët anembanë
u mblodhn e fjalën dhanë
mbretit s’i japim nizamë
të parë Çelo Picarë
… dhe pastaj gjithë me radhë
Zenel Gjolekë Kuçjoti
Hodo Ali nivicjoti, Fejzo Çikë i borshjoti,
Spiro Stoja nga Labova
që kudo ia bënte fora
Çorrajt me Foto Kopalë
Qeparoi Gjikë Thanasnë
edhe kapedan Sokratnë
Të gjithë trima me pallë
bashkë me Lulë Çaparë
erdhën e zunë Picarë
Te rrapi me dega tëndë
Atje e bënë Kuvendë.
Dhe më tej:
Lumi i Vlorësë nëntëmijë
Delvina me Çamërinë
Berati me Toskërinë. 
Pas dështimit të Lidhjes, Lul Çapari si shumë kryengritës të tjerë kalon në arrati. Turqit me dredhi e pabesi arritën të kapin një pjesë të madhe të udhëheqësve të kryengritjes së vitit 1848. Disa prej tyre i eliminuan fizikisht ose i mbyllën në burgjet e errëta të perandorisë; një pjesë tjetër e falën, duke i vënë nën armë, në luftën e zhvilluar kundër Greqisë dhe në Mal të Zi.
Nga ndjekjet e shumta që iu bënë, çdo herë ai do të shpëtonte, duke luftuar, derisa rrethohet keq në fshatin e tij, Luarat.
Foli një zë kaha mali
Të iki Lule Çapari
Luli mori të rrëpjetë
iu mbush sharkëza me vesë
Vlleh e vllaha treqind vet
Luli u kërkoj fushekë
ata klenë të pabesë.
Në disa këngë ai thirret Lulo, Lule ose në trajtën e shquar Luleja. Ndoshta bëhet një paralelizëm midis emrit të tij dhe bukurisë fizike që e karakterizonte. Në vargjet e mëposhtme të bëjnë përshtypje fjalë e shprehje të një bukurie të rrallë: Mirënata morfanjotë/ Keni vënt për mua sonte?
Lul Çapari me sa shihet ka arritur në muzg, sapo fillon të erret. Dhe më tej:
Ti moj plaka shenicjote
keni vend për mua sonte?
Bujrum Lul Aga zotrote
kemi sonte dhe si sonte.
Plaka shenicjote e pret me gjithë zemër “Bujrëm”, por fjalët “kemi sonte dhe si sonte” ‘përkthehen’: kemi sot plot dhe gjithë ditët e tjera janë si kjo e sotmja. Ndërkaq Lul Çaparin, në ecejaket e tij të pafundme në fshatin e lindjes ku kishte gruan dhe fëmijët e spiunojnë. Në një situatë të tillë i duhet të marrë një vendim të shpejtë sepse vonesa do të ishte vdekja e tij. Ai veproi si gjithmonë pa iu trembur syri.
Lul Çapari ia hipi diçit (kalë i bukur)
çajti mal’ e Margëlliçit
Lulo me nishan në ballë
kur more tutje mejdanë
Njëqind e njëzetë të ranë
Njëqindenjëzetë fushekë
Bir o Lulo ç’i dogje vetë.
Nga pas si gjithmonë e ndiqte miku i tij i ngushtë, trimi tjetër i Çamërisë Memet Kollovi.
Lul Agai arriu e dolli
pas e pas i ra Kollovi
Kollovi i Saqe Meçesë
pas e pas i ra Lulesë.
Mirëpo Luli i kishte lënë amanet gruan dhe fëmijët shokut të tij. Kur pa që po e ndiqte nga prapa e pyeti:
Ç’i bëre djelt e Lulesë
Në shtëpi i lash të zestë
lumi i marrtë e zjarri i djektë
se u s’di ku kam krie’të.
Në këto kushte Lul Çapari kthehet prapa dhe i dorëzohet komandantit turk Çollak Gegës, me kusht të linin të lirë gruan me fëmijët. Me të shkon dhe Haxhi Demi me shpresën se valiu i Janinës do t’i falë.
U kthe Lulia e rreth i vunë 
Në Janinë lidhur e shpunë
Lulenë që s’trembej kurrë
Kur e panë morfaqotë
palë palë u vanë lot
Në qafë të Belbestenit
i dha selam Haxhi Demit
Hajd’ or Haxhi Dem’ të vemi
se ftuar na ka sadrazemi
të mir’ a të keqe kemi?
Thuhet se i çuan në Stamboll te Sulltani ku së bashku me Xhaferr Demin u zhdukën në mënyrë misterioze. Por këngët japin dhe një variant tjetër të vdekjes së tij, kur e dërguan në Janinë:
Lul Agai hip shkallatë
xhelati trois pallatë
… Në Janinë lidhur e shpunë
Lulenë që s’trembej kurrë
Mu ne portë e dervenit
ia prenë kokënë si demit.
Në gjithë këngët epike hasim një qëndrim të ashpër për tradhtinë e tradhtarët, qoftë dhe vendi i lindjes si në këtë rast.
Ra mjegulla e zuri fshanë
Atë fshanë Luaranë
Luarat këmbë mos mbetë
se zunë Lulinë e shkretë.
Sigurisht që Luarati nuk u shua dhe këtë këngë Lul Çaparit, ia ngritën vetë luaratasit. Mallkimi “Luarat këmb’ mos mbetë” ka të bëjë më shumë pendesën dhe keqardhjen, që nuk mundën ta shpëtonin dot birin e tyre. Është si ajo shprehja që përdoret edhe sot për një njeri të afërm që e kemi lënduar pa dashur:, që ka kuptim vetqortimi “Më hëngërt mortja!” ose “M’u thaftë dora!”.

About AAOC

Check Also

Shqipëria 76 vjet në luftë me Greqinë

Nga genocidi grek deri tek pranimi i Çështjes Çame në Bruksel. Një histori e marrëdhënieve …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *