Home / Uncategorized / ÇAMËRI SHPIRTI T’LOTON – Nga LEK GJOKA

Janina, çelësi historik për problemin çam

Nesip Kaçi – Ish Ambasador.
Më  7  mars  2016 mbushën  103  vjet  nga  rënia  e  Janinës. Siç  dihet historikisht  më 8 gusht 1912, forcat osmane  u sulmuan prej grekëve, bullgarëve, serbëve dhe malazezëve, të cilët, duke patur Rusinë  cariste nga prapa, kishin krijuar Aleancën Ballkanike.

Qeveritarët e Stambollit, pa bërë asnjë muaj rezistencë, më 3 nëntor 1912 kërkuan armëpushimin e turpshëm. Megjithëse qeveria e Stambollit e Babë Aliut, e udhëhequr nga Partia Ittihat ve Terakki (Bashkim dhe Përparim), hoqi dorë nga rezistenca kundër Aleancës Ballkanike greko-sllave, mbrojtësi i kalasë së Janinës, Mehmet Esat Kaçi, më vonë Bylkati, me ushtrinë që komandonte, bashkë me shqiptarët patriotë, nuk i vuri veshin asaj dhe nuk u bind. Mehmet Esat Kaçi në autobiografinë e tij të botuar në Ankara në vitin 1984, “Mbrojtia e Janinës dhe Esat Pasha” nga faqja 97 deri  në faqen 104  shkruan si më poshtë:

Shkollën fillore dhe të mesme e kreva në Janinë. Më 1879 fitova provimin të vazhdoja gjimnazin ushtarak të Manastirit. Pas një viti kalova në gjimnazin ushtarak “Kuleli” në Stamboll. Më 1884 u regjistrova në shkollën e lartë ushtarake. Si toger vazhdova Akademinë Ushtarake dhe më 1890, duke u diplomuar, mora gradën kapiten i shtatmadhorisë dhe u emërova profesor i mësimeve të shtatmadhorisë. Pas kësaj shteti më dërgoi në Gjermani ku bëra specializimet e larta. Në korrik të vitit 1893 u ktheva në Stamboll me gradën nënmajor. Në vazhdim bëra disa studime profesionale në Francë dhe më 1dhjetor 1895 më graduan nënkolonel. Më 18 prill 1897 u emërova në armatën e Janinës me detyrën kryetar shtatmadhorie. Më 31 janar 1898  më kthyen në Stamboll ku fillova të jap mësim si profesor në shkollën e lartë ushtarake, ku pata nxënës mareshall Mustafa Fevzi Çakmakun, Ismet Pashë Ynonynë, që  më pas u bë  kryeministër e më vonë president i Turqisë. Më 13 prill 1909 u emërova zëvendëskryetar i Shtabit të Përgjithshëm por qeveria e Bashkim- Përparimit më 22 shtator 1909 ma uli gradën. Dhashë dorëheqjen. Më  pas më emëruan komandant divizioni në Shkodër. Me të plasur lufta italo-osmane më 10 gusht 1911 më emëruan komandant korparmate në Janinë dhe deri në mars 1913 mbrojta Janinën.  

Mehmet Esat Pasha në mbrojtjen e Janinës kishte pranë  edhe të vëllanë, Vehip Pashën. Mehmet Esat Pasha e mbrojti Janinën heroikisht dhe me nder, mirëpo nuk pati fat ta shpëtonte se nuk i erdhën ndihmat ushtarake nga Stambolli. Greqia, që nuk e pranoi armëpushimin me qeverinë e Stambollit e sulmoi prapë Janinën. Komandanti grek më 30 janar 1913 i dërgoi letër që të dorëzohej, por ai i dha përgjigje se “kalaja e Janinës gëzon gjithë mjetet dhe masat ushtarake e duhura për mbrojtje”. Mehmet Esat Pasha nuk e dorëzoi Janinën pa luftë, siç bëri Hasan Tahsin Pasha, që kishte dorëzuar Selanikun. Esat dhe Vehip Pasha, janinjotë të lindur dhe rritur në Kala të Janinës luftuan deri në pikën e fundit për mbrojtjen e saj. Komandanti grek, Konstandin, kur hyri në Janinë më 7 mars 1913 i tha Esat Pashës:  nuk ka  nevojë të dorëzoni armët, shpata heroit nuk i merret. Sipas marrëveshjes me grekët, bashkë me tre gjeneralë, 1.148 oficerë dhe 30.063 ushtarë u kthyen në Stamboll. Për mbrojtjen e Janinës dhe rënien e saj në Ankara në maj 1984 është botuar edhe një libër  monografi me 108 faqe në 5000 kopje, e cila pret një sponsor në Shqiperi për botim me rastin e 100 vjetorit të rënies së qytetit. Siç e thamë më lart Esat dhe Vehip Pasha ishin shqiptarë, mirëpo këta komandantë lanë përshtypje se Janinën e mbronin për shtetin osman. Por, po të mos harrojmë se qysh nga 28 nëntori 1912 Shqipëria kishte shpallur Pavarësinë, atëherë kjo përshtypje del se nuk qëndron. Me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ushtarët dhe oficerët shqiptarë kishin filluar ta braktisnin armatën osmane dhe shkonin në Shqipëri. Esat Pasha disa herë u kishte folur ushtarëve shqiptarë: “Ku shkoni more shqiptarë, ju jeni shqiptarë edhe unë jam shqiptar i Janinës? Si harruat që keni luftuar si luanë, pse sot nuk mbroni atdheun tuaj, Janinën e dashur?” ( “Nga Janina në Ankara”,shkruar nga Ismail Haki Oktay, Stamboll më 1975 faqe 55-57). Rënia e Janinës nuk u shkaktua nga dezertimi i shqiptarëve, por nga qëndrimi dritëshkurtër i Portës së Lartë, që dirigjohej prej partisë aventuriere pan-turaniste Bashkim dhe Përparim. Veç kësaj, suksesin që korri në Shkodër  Hasan Riza Pasha duke bashkëpunuar me shqiptarët mund ta kishin arritur edhe Esat e Vehip Pashë Janina, po të kishin bashkëpunuar me qeverinë e Ismail Qemalit. Ç’është e vërteta në Shqipëri është shkruar pak për luftën, mbrojtjen dhe rënien e Janinës si dhe për mbrojtësit e saj heroikë. Edhe sot e kësaj dite nuk flitet për historinë e rënies së Janinës që është nyja gordiane për mbrojtjen e Çamërisë, për zgjidhjen e problemit çam, për rikthimin e të drejtave të  tyre.

Edhe gjatë 45 viteve të monizmit për Çamërinë dhe Janinën nuk ngrihej zëri siç bëhej për Kosovën dhe kjo i dha Greqisë zemër të thoshte dhe të thotë edhe sot se “i kemi mbyllur këto punë”. Ne duhet t’i përgjigjemi Greqisë se “i mbyll ti, se kështu të leverdis, por nuk i mbyllim ne, se ke bërë krime ndaj çamëve, ke bërë genocid në Çamëri dhe mos u përpiq t’i mbulosh këto, mos u fshih pas gishtit, nuk mbulohet dielli me shoshë”.

Ne jemi të bindur se në Greqi ka njerëz të drejtë, ka forca që nuk e pranojnë shkombëtarizimin e Çamërisë, ne nuk kërkojmë ndryshim kufijsh, por ne kërkojmë të rikhehen çamët në tokat e tyre, t’u kthehen pasuritë e tyre që ju morën me forcën e armëve më 1945 kur i dëbuan nga Çamëria. Të kthehen ata në shtëpitë e tyre, në vatrat e tyre të lindjes dhe kjo është mëse humane, se ndryshe ka dava Janina. Politikanët grekë duhet të kuptojnë se me kokëfortësi nuk zgjidhen këto punë, këto punë zgjidhen me ndershmëri dhe drejtësi sipas Konventave Ndërkombëtare.

Sa mirë politikanët grekë i duan të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, sa mirë Janullatosi ngre zërin për të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri. Po meqë Janullatosi është njeri i Zotit, pse nuk e ngre zërin edhe për të drejtat e çamëve dhe te ndikojë te politikanët grekë që të respektojnë të drejtat e çamëve, dhe jam i sigurtë se zëri i tij do të dëgjohet në Greqi  dhe po bëri këtë do mbetet i pavdekshëm në Shqipëri. Çamët do t’i ngrenë monument. Mendoj se politikanët shqiptarë dhe diplomacia shqiptare duhet t’i mëshojnë më shumë problemit të të drejtave të çamëve, kjo në bazë të normave dhe konventave ndërkombëtare dhe nuk duhet  t’i lihet spontanitetit dhe as vetëm partisë së çamëve, sepse hekuri rrihet sa është i nxehtë.

About AAOC

Check Also

Shqipëria 76 vjet në luftë me Greqinë

Nga genocidi grek deri tek pranimi i Çështjes Çame në Bruksel. Një histori e marrëdhënieve …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *