Home / Features / Genocide Awareness / Çamët në mes dhunës së ushtrisë greke dhe dhunës së diktaturës në Shqipëri

Çamët në mes dhunës së ushtrisë greke dhe dhunës së diktaturës në Shqipëri

Nga Kosovare Krasniqi

                               (Në romanet e Arben Kondit)

Trojet shqiptare u shpërbënë në vitin 1913, kur Traktati famëkeq i Londrës, ndër pjesët tjera shkëputi edhe Thesprotinë e lashtë. Shqiptarët pas gjithë atyre shekuj luftërash e përpjekjesh, fatmirësisht mbijetuan, por u copëtuan nga vendet shoviniste fqinje, si Greqia, Serbia e Mali i Zi. Shqipëria u copëtua dhe jashtë saj ngelën pjesët më të bukura të saj, përfshirë këtu Kosovën dhe Çamërinë që kishin bërë të pamundurën për pavarësinë e Shqipërisë, duke iu nënshtruar pastaj masakrave, dëbimit e kolonizimit nga pushtuesit serbë e grekë. Drama e popullit shqiptar, të ndarë padrejtësisht nga Fuqitë e Mëdha, doemos që ka shkaktuar te të gjithë shqiptaret një tronditje të madhe shpirtërore, sepse trojet shqiptare u përdorën “si monedha shpërblimi për miqtë e tyre, pra, për fqinjët tanë kombngrënës” (f. 141),  siç shprehet Bashkim Kuçuku, andaj mospërfillja e tyre kundrejt Shqipërisë që gjeografikisht ka qenë shumë herë më e madhe nga sa është sot, bën që trojet shqiptare të copëtohen në pesë shtete. Historia jo pak u tregua e padrejtë me popullin shqiptarë, andaj edhe shkrimtarët s’kishin se si t’iu iknin temave që i shfaqnin në veprat e tyre, dokumentare apo edhe fiksion. Çështja çame u shfaq qysh në Kongresin e Berlinit (1878), mirëpo realiteti i hidhur çam u vulos pas vitit 1913, kur trojet e shkëputura shqiptare iu aneksuan vendeve fqinje.

E fillova me histori, për të kaluar te letërsia, e cila po ashtu përmban në vete, përveç rrëfimit artistik, edhe historinë. Akademik Rexhep Qosja, teksa flet për historinë, thotë: “Historia mësohet jo vetëm për t’u ditur e shkuara, por edhe për të qenë mësuese e së ardhmes”. Në truallin e letërsisë shqipe, temat e marra nga historia zënë një hapësirë jo të vogël, ku ka mjaft vepra të cilat si bazë në subjektin e tyre marrin faktet historike, ndërsa njëri nga shkrimtaret i cili krijimtarinë e tij në përgjithësi e vë mbi historinë dhe të vërtetat çame është shkrimtari Arben Kondi. Faktet historike bëjnë që edhe Çamëria të hyjë si temë e veçantë në letërsinë shqipe.

Arben Kondi edhe pa e shkelur tokën e Çamërisë, krijon lidhje të forta shpirtërore me vendin e tij, gjenezën prej nga lindi frymëzimi, kështu që tema për Çamërinë bëhet edhe ushqimi shpirtëror i tij, me ç’rast mund të themi se pothuajse e tërë krijimtaria e Arben Kondit lidhet me Çamërinë dhe fatin tragjik të saj. Çamëria është kthyer në objekt frymëzimi për Arben Kondin jo vetëm në letërsinë dokumentare, por edhe në atë artistike. Motivin e tragjedisë çame te Arben Kondi e gjejmë si në poezi, ashtu edhe në prozë. Janë këto katër vargjet e fuqishme të tij, subjekti lirik i të cilave pos që na paraqet lashtësinë e Çamërisë, shpreh dhembjen për vuajtjet që e përcjellin Çamërinë më shumë se një shekull:

Çamëria

Trëndafil antik,

Që prej gati një shekulli

Veson gjak pikë, pikë…

Shkrimtari Arben Kondi përmes librave të tij ka arritur të na paraqesë hapur politikën e egër dhe shoviniste të shtetit grek, në raport me shqiptaret dhe qëndrimin zyrtar të tyre ndaj popullit etnik shqiptar në Çamëri.

Dy historitë që do t’i shpalos para jush janë subjektet e dy romaneve: “Shqiptarovrasësi Napoleon Zerva” dhe “Mëhalla e muhaxhirëve”. Thurjet e të dy subjekteve janë të goditura mjaft bukur dhe si emërues të përbashkët kanë gjendjen  dhe vuajtjet e popullit çam që nga mbetja nën Greqi, po edhe pas depërtimit të tyre në Shqipëri, më 1945. Përderisa në librin e parë “Shqiptarovrasësi Napoleon Zerva” trajtohet një temë mjaft e ndjeshme ku paraqiten, vrasjet, masakrat e dëbimet e çamëve nga greket, në librin e dytë “Mëhalla e muhaxhirëve” përsëri paraqitet dhunë, keqtrajtime, internime, por që kësaj here ushtrohen nga sistemi diktatorial në Shqipëri, pikërisht mbi të përndjekurit çamë.

Kulti i atdhedashurisë – Çamëria

Qëllimi kryesor i Greqisë dhe i politikes së saj ishte spastrimi etnik i shqiptarëve nga Çamëria, qëllim i cili edhe u realizua në vitet 1944-1945, përmes gjeneralit shovinist Napolon Zerva dhe ushtrisë së tij. Terrorin që ushtroi  ushtria e tij mbi popullsinë civile çame, e paraqet në librin e tij Arben Kondi. Duke iu referuar thënies së Nasho Jorgaqit “Sepse nuk mund të kemi vepra të vërteta realiste në qoftë se nuk i drejtohemi historisë, në qoftë se nuk e njohim thellë dhe në veçanti karakterin dhe frymën e epokës, në qoftë se s’vemi te burimet e saj” (f. 397), ne si lexues kuptojmë që është edhe kjo arsyeja e cila e shtyn autorin ta paraqesë atë periudhë të historisë që pulson dhembje të madhe, kur politika greke i ndau shqiptarët: në shqiptarë myslimanë të cilët i dëboi nga tokat tyre, dhe shqiptarë ortodoksë, të cilët qëndruan, por pa asnjë të drejtë kombëtare e njerëzore, madje duke ua mohuar edhe gjuhën e tyre amtare. Gjithashtu Greqia me politikën e saj, në roman paraqitet si një shtet i dhunshëm, i pamëshirshëm dhe dinak. Ajo projektoi politikën e asimilimit, politikën e gjenocidit, mohimin e etnisë ndaj shqiptareve të të dy besimeve në Çamëri. Qëllimi i politikes greke ishte të shkatërronte gjithçka shqiptare në Çamëri. Me qëllimin e ndarjes së shqiptareve në mes vete, ushtria greke nxiste konflikte në mes besimeve të ndryshme fetare të të njëjtit popull. Shqiptarët me fe ortodokse i thërrisnin si grekë, ndërsa ata me fe myslimane, pos që i quanin turq, i keqtrajtonin me mjetet nga më të ndryshmet. Ata i frikësoheshin bashkimit të çameve, andaj i përçanë. Kjo dëshmohet edhe në roman, përmes fjalëve të kryexhelatit Napolon Zerva, që thotë: “Fshirja e konflikteve në mes çamëve, – u shpreh i acaruar Zerva, – shënon fundin tonë. Nënkupton vetë fillimin e bashkimit të Çamërisë me Shqipërinë”. (f. 32) Kështu, duke shkatërruar gjithçka shqiptare, ata mund ta zhduknin përgjithmonë fjalën shqiptarë nga trojet çame.

Subjekti dramatik në roman shënjon përmasat e një tragjedie të vërtetë, që e përjetuan shqiptarët çamë. Autori me mjeshtëri ka arritur që Napoleon Zervën, nga një personazh historik, ta kthejë në personazh letrar. Në të dyja rastet, Napoleon Zerva e gëzon epitetin e një gjakpirësi, të një dhunuesi dhe të një vrasësi. Ai ishte betuar se “luftën do ta çonte deri në fund. Çamëria do të kthehej në gërmadhë” (f. 50). Urrejtjen ndaj shqiptarëve çamë e lau me gjakun e tyre duke mos kursyer asgjë, që nga vrasjet nga më mizoret, përfshirë këtu edhe vrasjet e pabesa të cilat ishin bërë dukuri në atë kohë. Ata më të shquarit të cilët guxuan të kundërshtonin dhe të këmbëngulnin për bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë, vriteshin në mënyrat më mizore. Nga barbaria greke asgjë nuk kursehej, as fëmijët, as pleqtë e as plakat, por nuk kursehej edhe ndonjë bari i cili kulloste delet në fushë, dhe nuk paraqiste ndonjë rrezik për ta. Madje edhe bagëtitë vriteshin, jo rrallë herë si pre e mizorive të tyre bëheshin edhe qenët mollos. Dhembja në roman është e dhënë me ngjyra të forta dhe pa ndonjë element, as më të voglin, zmadhues.

Ngjarjet e romanit janë të vendosura në qytetet e jugut të Shqipërisë: Paramithi, Filat, Margëlliç, qytete të cilat ishin në pjesën më kufitare Shqipëri-Greqi. Dy vende apo “dy forca skajshmëritë armiqësore”, ku edhe u zhvilluan barbaritë më të mëdha ndaj popullatës së kësaj pjese shqiptare, apo siç thotë në parathënien e librit të tij “Te guri i Prevezës”, poeti kombëtar A. Podrimja: “Atje ishte pllakosur zhbërja, shfarosja, dhe, më e papranueshmja – shpopullimi”. (f. 260)

Ndër të këqijat e tjera ishte se shqiptarët çamë s’kishin mbështetje nga askush, ishin lënë në mëshirë të fatit. Rrethanat historike dhe politike nuk i dhanë aleatë Shqipërisë. Personazhi i cili paraqitet në roman si koloneli Wudhauz, ushtarak britanik, bashkëpunon me Napoleon Zervën dhe haptas lejon që Zerva mllefin e tij, ta kthejë në krim, ku edhe  ndodhi një tragjedi e tillë. I huaji thotë: “Për ne çështja çame nuk është parësore,- tha koloneli anglez i çuar në këmbë. Ajo mbetet çështja e juaj e brendshme” (f. 40). Shovinistët grekë, pasi kuptuan që tashmë  i kishin duart e lira nga koloneli anglez, bënë terror të përmasave të tilla sa që shqiptarët e Jugut apo epirotët, siç i quan në roman autori njerëzit e kësaj pjese të Shqipërisë, për shkak të dhunës së shumtë që ushtrohej ndaj tyre, u detyruan t’i braktisnin shtëpitë e tyre në Çamëri dhe t’i drejtoheshin shtetit amë, Shqipërisë.

Një situatë e re pothuajse e njëjtë i pret edhe në shtetin amë të tyre, Shqipëri. Sistemi në fuqi i asaj kohe u tregua i pamëshirshëm me të ikurit çamë. Nga masakrat, vrasjet e dëbimet të cilat i përjetuan nga greket, çamët kaluan në internime e vrasje nga pushteti i  diktaturës. Ata të cilit nuk i bindeshin politikes së sistemit diktatorial e pësonin me varje, internime ose vrasje në shesh.

Përmes rrëfimit të romanit “Mëhalla e muhaxhirëve” mësojmë që çamët pas ardhjes në Shqipëri, i ka përcjellë një jetë e trazuar e plot drithërima, ata ishin njerëz që jetonin në mes jetës dhe vdekjes. Kujtimet janë ato që ngrohin dhe copëtojnë zemrën, dhe janë ato të cilat e rikthejnë autorin në fëmijëri, prej  ku edhe i rrëfen ngjarjen e romanit. Imazhet e zymta të shtëpisë së braktisur ia shpalosin autorit gëzimet dhe hidhërimet që i solli ajo kohë, i risjellin autorit fëmijërinë, kohën kur ai si fëmijë, jetonte në “Mëhallën e muhaxhirëve”. Edhe pse në  roman çamët paraqiten si njerëz shumë paqedashës, përsëri ata në Shqipëri u përballën me ndëshkimin e sistemit komunist. Familjet të cilat binin në kundërshtim me politikën shtetërore i priste internimi ose edhe dënimi me vdekje. Subjekti i romanit rrëfehet vetëm në një vije lineare, ku shkrimtari mjeshtërisht na krijon një atmosfere të ndjeshme me paraqitjen realiste të jetës së çameve në Shqipëri. “Atje sipër ne çamëve nuk na duan. Na kane zët, halë syve na kanë”, thotë babai derisa i tregon gjyshes për Teme Sejkon dhe shumë të tjerë që sistemi komunist i kishte dënuar me vdekje duke i shpallur spiunë dhe quajtur “armiq të popullit”.  Në roman si personazhe të cilët i shërbejnë aparatit ideologjik të pushtetit komunist paraqiten kapter Feridi, nëndrejtoresha e shkollës, Drita, pastaj, Ypi, bojaxhiu i lagjes, ndërsa në anën tjetër ishin familjet çame si ajo e Nuse, xhaxhi Naimit, Didiut e të tjerë.

Në romanin e tij “Mëhalla e muhaxhirëve”, autori përveç që ngre probleme të jetës së përditshme dhe atë social, vë gjithashtu edhe keqtrajtimet që i pësuan çamet nga sistemi diktatorial. Ata të cilët ishin më të goditurit nga sistemi ishin intelektualet, pra, siç ishte rasti me personazhin e romanit, Teme Sejkon, e që në të vërtetë ky personazh është real. Teme Sejko ishte kundëradmirali i flotës ushtarake detare shqiptare, i cili akuzohet nga sistemi për spiunim tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe si spiun i Greqisë. Vrasja e tij bëri buje të madhe, duke u transmetuar nëpër radio e gazeta, me qëllimin t’i frikësojnë të tjerët dhe t’iu ulin moralin si shqiptarë çamë, ndërsa për të vazhduar edhe me tej të keqën, të afërmit e tij i internojnë. Për të mos gjurmuar në rrënjët e historisë së tyre kombëtare, çamet akuzoheshin e fyheshin rënd nga sistemi komunist, andaj autori në romanin e tij “Mëhalla e muhaxhirëve” paraqet vetëm një pjesë të asaj historie të dhembshur, që e përjetuan shumë familje çame.

Përfundim

Çamëria është tema që e lidh gjithë krijimtarinë e Arben Kondit. Të dhënat historike, pësimet, dhembjet e vuajtjet e popullit çam, si edhe ndodhitë historike, ai i letrarizoi dhe i vuri në romanet e tij. Studiuesi Agim Vinca, kur për letërsinë dhe historinë, thotë, “Edhe historia, edhe letërsia, pra, ofrojnë informacion për të kaluarën, por mënyra se si e bëjnë këtë ndryshon thuaja rrënjësisht. Historia jep të dhëna të sakta, precize, por edhe të ftohta racionale. Letërsia e bën të kundërtën. Ajo e ngjyros informatën emocionalisht, sepse qëllimi i saj është të ndikojë në vetëdijen e lexuesit; në formimin e tij ideor, etik dhe estetik”. Mirëpo në romanet e Arben Kondit nuk kishte nevojë të ngjyrosej informata, sepse ngjarjet që kishin ndodhur ishin të ngjyrosura me gjakun e pafajshëm çam. Pra, në dy romanet  trajtohet fati i çameve, por në kohë të ndryshme dhe në vende të ndryshme. Romani i parë trajton fatin e çamëve dhe gjenocidin që ushtroi Napolon Zerva mbi popullsinë çame pa kursyer llojet më të ndryshme të dhunës, dhe romani i dytë trajton fatin e çameve nën sistemin diktatorial. Dhe, edhe  “Ata që racizmi grek i la pa vatër amtare, pa ekonomi dhe pa katandi, Enver Hoxha i la pa histori dhe pa tradita”(f. 89), shprehet studiuesi konispolian, Bashkim Kuçuku.

Se sa e fuqishme është ndjenja e atdhetarizmit dhe e kombëtarizimit te shkrimtari Arben Kondi, e kuptojmë kur i lexojmë librat e tij. Kondi nuk e harroi gjenezën prej nga erdhi andaj ai me shumë përkushtim i kushtoi vepra asaj pjese të mbetur nën pushtimin grek. Çamëria dhe Kosova janë dy nga pjesët të cilat mbeten jashtë trungut shqiptar, të cilat e kanë shqetësuar thellë këtë autor. Kosovën dhe Çamërinë i bashkoi po i njëjti fat, kështu ai, në opusin e tij krijues, pos Çamërisë një vend të veçantë i lë edhe Kosovës. Po me këtë temë, pra me temën e copëtimit të trojeve shqiptare, lidhen edhe dy vargjet e poetit Visar Zhiti, të cilat po i citojmë: “Kujto Çamërinë, Kosovën e shkretë,/ Ëndërruan lirinë, u bënë ëndërr vetë , të cilat u thuren në burgun famëkeq, po të cilat për fat i shpëtuan grirëses së sistemit komunist. Fati i  këtyre vargjeve ishte se nuk qëlluan në duart e xhelatit, por të një engjëlli mbrojtës dhe dashamir i poezisë

Çështja çame ka qenë dhe vazhdon të jetë ende një shqetësim i përgjithshëm shqiptar. Më e keqja është se grekët politikën e tyre nuk e ndryshojnë kundrejt shqiptarëve. Ata asnjëherë nuk pendohen për krimet e bëra ndaj çameve. Studiuesi Bashkim Kuçuku ka bërë disa studime rreth raportit Shqipëri-Greqi dhe, ndër të tjera, shkruan edhe për vizitën e kryeministrit të Greqisë,  Micotaqis në vitin 1992, të bërë në Shqipëri. Micotaqis, ndër të tjera, i bën fajtor çamet kinse për bashkëpunim me fashistet gjermanë. Me këtë rast, Kuçuku shprehet “Me këtë akuzë të shpërlarë e të stërpërdoruar prej politikes greke, ai dëshmoi, se, mendërisht, shpirtërisht dhe politikisht miraton gjenocidin e Napolon Zervës, që vrau, preu, dhe dogji të gjallë fëmijë, burra e gra, pleq e të rinj, dhe të tjerët i dëboi, shkretoi fshatrat e qytetet, grabiti ato pasuri përrallore”. Ja sa të pafajshëm dalin grekët, sipas kryeministrit të tyre. Mirëpo “përderisa ai viktimat i quajti fajtore, si mund ta quaj kriminelin Napolon Zerva, Hitlerin e Çameve, engjëll?” (f. 125).

Arben Kondi është një zë i fuqishëm,i cili duke vënë realitetin tragjik çam në bazë të  krijimtarisë së tij, na bën që ne si komb shqiptar ta kthejmë kokën edhe nga historia dhe të përpiqemi t’i shërojmë plagët, aq sa mundemi, që na i ka shkaktuar ajo.

Tashmë po vjen koha kur neve nuk na lejohet të jetojmë me ideale për Shqipërinë e bashkuar, por të punojmë sa më shumë në zgjidhjen  e këtij problemi dhe ta jetësojmë atë ideal për të cilin kanë ëndërruar, po edhe sakrifikuar, shumë gjenerata para nesh.

About AAOC

Check Also

Genocidi Vazhdon: Autoritetet greke s’e lejojnë të kthehet në Athinë: Ke lindur në Çamëri

Sa herë që marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë tensionohen, Athina zyrtare duket se e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *