Home / Uncategorized / ÇAMËRI SHPIRTI T’LOTON – Nga LEK GJOKA

AMANETI ÇAM “ZGJOHET” PËR T’U KTHYER EDHE NJË HERË NË TOKËN QË E LANË PAS

Monodrama “Amaneti” është një homazh kushtuar jetës së martirizuar të Çamërisë, bijve dhe bijave të saj, plagës së madhe të saj, që ende kullon gjak.

“Amaneti”, një monodramë e shkruar nga Odise Plaku dhe regji të Jorgaq Tushës, interpretuar nga aktori Ilirian Aliu dhe pjesëmarrje të Evita Mezanit, është vepra e parë skenike që çel këtë sezon të ri në teatrin “Petro Marko” në Vlorë.  I lënë brez pas brezi, amaneti për t’u kthyer edhe një herë në tokën që kanë lënë pas, zgjohet furishëm dhe rrëmben zemrën e njeriu. Ky mesazh vjen përmes figurës së xha Shahinit, një përjetues dhe i mbijetuar i kalvarit dhe dhimbjes së madhe. I ndodhur në çastet e fundit të jetës së tij, ai lufton forcërisht që të mos ndahet nga kjo jetë pa realizuar amanetin e të parëve të tij: të shkelë dhe një herë pragun e shtëpisë, të ulet nën hijen e portokajve dhe ullinjve dhe të ngopet me aromë Çamërie. Sipas drejtorit të teatrit “Petro Marko”, Dhimitraq Furxhiu, monodrama “Amaneti” trajton temën e Çamërisë, një plagë për këtë komunitet, që mbetet e hapur sot e kësaj dite. Ajo interpretohet nga aktori Ilirian Ali, i cili e ka realizimin e katërt në këtë zhanër teatror, regjia është e Jorgaq Tushës, skenografia e Agron Jakupit dhe muzika nga Sajmir Sadikaj. Drejtori Furxhiu shprehet se loja e aktorit Ilirian Ali përcjell me realizëm këtë brengë të popullsisë çame, ku përveç trajtimit të përzënies së tyre nga trojet etnike, autori ka ditur të përfshijë me sens edhe kalvarin e këtij personazhi në realitetin shqiptar, i cili ka kaluar një pjesë të jetës në burg, periudhë që e shkatërron përfundimisht jetën e tij, pasi ai humb shoqen e tij të jetës, me të cilën kishte një vajzë, fati i së cilës është një amanet tjetër i tij.

posteri amaneti camGjithë ky material i ngjeshur dramaturgjik, që vjen nga njohja dhe hulumtimi që ka bërë autori në historinë e këtij komuniteti, përcillet me emocion nga loja e aktorit, së cilës i bashkëngjiten dhe ndërthuren me sens elementet e tjerë të regjisë, ndriçimit, muzikës, duke e bërë unike dhe të ndierë mesazhin dhe emocionin e veprës. Lidhur me ndërtimin e kësaj, monodrama e autori Odise Plaku tregon se, duke kërkuar në arkivin e tij personal të shkrimeve ndër vite, u ndesh me disa publikime në mediet e shkruara, me disa rrëfime tronditëse të disa qytetarëve çamë që jetojnë në qytetin e Fierit. “Rileximi më dha një emocion të ri, që e përktheva në shkrimin e monodramës “Amaneti”.

U përpoqa të ndërtoja në mënyrë artistike kalvarin e një Çamërie, që kishte vazhduar jo vetëm andej, por edhe këndej në vitet e diktaturës komuniste. Nuk kemi pse ta fshehim se nuk kanë qenë të paktë intelektualët çamë, qytetarë të thjeshtë, që ranë pre e persekutimit, shkatërrimit të jetëve të tyre, të familjeve të tyre, të fëmijëve dhe bashkëshorteve të tyre. Ka pasur një përbuzje dhe një nënvleftësim edhe teksa shqiptohej emri “çam” në shoqërinë e diktaturës së proletariatit. Kam dashur të shkruaj një monodramë ku faktet jetësore të jenë të ndërthurura me ato historike.

Për këtë qëllim jam futur në bashkëbisedim me qytetarë çamë dhe kam marrë prej tyre dëshmi akoma më rrëqethëse për jetën e tyre të prerë përgjysmë, për të afërm të mbetur rrugëve, që çaheshin nga klithmat e vdekjes, nga shkrepjet e armëve dhe humbje jetësh pa njohur moshë. Kam përjetuar dhimbje teksa kam dëgjuar rrëfime të grave çame se për të mbijetuar janë detyruar të punojnë nëpër kanalet e kënetave, se kanë bërë punë të rënda edhe për burra vetëm e vetëm pse kanë gëzuar emrin “çam”. Ndërsa e përbashkëta e tyre ka qenë që të kthehen edhe një herë të vetme në shtëpitë e tyre, të kalojnë pragjet e tyre, të shkojnë dhe të prekin qoftë dhe për herë të fundit gurët e varreve të prindërve të tyre.

Pra, “amaneti” ishte fjala mbizotëruese e tyre, ndaj dhe e titulluam kështu këtë monodramë”. Autori shprehet i gëzuar që pas shumë e shumë vitesh punë për ndërtimin e kësaj monodrame, pas shumë përpjekjesh për ta finalizuar atë në skenë, kjo monodramë do të shpaloset në teatrin “Petro Marko” të qytetit të Vlorës. Ai falënderon aktorin Ilirian Aliu, i cili nuk e ndau nga dora këtë vepër për gati 3 vjet me radhë, duke shprehur një dashuri për veprën, regjisorin Jorgaq Tushe, që punoi me të, dhe në mënyrë të veçantë drejtorin e teatrit “Petro Marko”, Dhimitraq Furxhiu për mbështetjen e madhe që i dha këtij projekti artistik. Me një eksperiencë tashmë në drejtim të interpretimit të monodramës, aktori Ilirian Aliu pohon se monodrama është një gjini e vështirë dhe kërkon një përvojë pune dhe do të ishte akoma më e vështirë për një aktor që i mungon kjo gjë. Duke u ndalur në monodramën “Amaneti”, aktori Aliu tregon se ndjesia e tij për këtë monodramë lindi që në kontaktin e parë, kur ai pati tekstin në dorë.

“Të them të drejtën, më mbërtheu, më emocionoi që në fillim. Rrallë më ka ndodhur me një vepër dramatike kështu. Ndoshta struktura dramaturgjike, gjuha e pastër, me kulturë, ngjarja shumë e gjetur dhe situata e personazhit, vendosur në rrethana shumë interesante, më kanë tërhequr dhe më bënë të dashurohem me të. Kam kohë që përgatitem. Bashkëpunimi im me regjisorin Jorgaq Tushe është i hershëm, jemi miq, kolegë dhe kemi kohë që merremi me këtë monodramë. Kontakti i parë me disa miq, dashamirës të teatrit, ishte shumë mbresëlënës, dhe kjo për mua është një ogur i mirë. Postulati i të madhit Kadri Roshi se “po të punosh, çoç do nxjerrësh” është aktual. Dhe ja, tani jam shumë i lumtur që e realizova këtë vepër, që aq shumë e kam dashur”, shprehet mes të tjerash protagonisti i kësaj monodrame. Edhe pse kishte punuar edhe 3 monodrama me aktorin Ilirian Aliu, regjisori Jorgaq Tushe teksa ka vendosur të punojë nga ana regjisoriale monodramën “Amaneti” është ndier përpara një sprove të re. Dhe kjo, sipas tij, sepse kishte një vepër dramatike të veçantë për nga tematika dhe konceptimi.

“Autori Odise Plaku më befasoi me temën, pothuaj të paprekur në dramaturgjinë shqiptare për gjenocidin çam, por ajo që më tërhoqi më tepër ishte gjuha dramatike, figura stoike dhe e paepur e personazhit të xha Shahinit, që me thjeshtësi dhe emocion njerëzor përcjell mesazhe të fuqishme, duke u nisur nga drama personale në atë kalvar mitik të popullsisë çame, në fillim të viteve 40. Ishte kjo tragjedi, kjo dramë e shkruar me emocione të fuqishme, me gjuhë të pasur e plot kolorit, që më frymëzuan të materializoj në skenë spektaklin “Amaneti”.

Të frymëzuar nga vepra e Odise Plakut, pasioni dhe profesionalizmi aktor-regjisor bën të mundur realizimin e një shfaqjeje teatrore dinjitoze në Teatrin “Petro Marko”, shprehet Tushe. Skenografi Agron Jakupi ka përzgjedhur disa detaje të thjeshta në konceptimin dhe ndërtimin e bazës së kësaj skenografie për t’i lënë vend më shumë hapësirës së interpretimit të protagonistit të monodramës. Po me shumë kujdes është punuar për muzikën dhe efektet që do të shoqërojnë interpretimin e kësaj monodrame. Motivet nga muzika çame janë qëmtuar me kujdes dhe janë risjellë në mënyrë të freskët, që të bashkëshoqërojnë dhe fjalën e shkruar të kësaj monodrame. Monodrama “Amaneti” vjen këtë fundjavë në skenën e teatrit “Petro Marko” të qytetit të Vlorës.

About AAOC

Check Also

Albania Prime Minister Highlights Cham Plight on Greek TV

Albanian Prime Minister Edi Rama has told Greek TV that Greece maintains a theoretical state …

One comment

  1. Chameria eshte nje pjes e pandar e Shqiperise, nje pjes e ish mbreteria e EPIRIT e bashkuar me Malsin, Maqedonin, Sanxhakun, Kosoven me Kosove lindore dhe Toplicen si pjes perberse e Shqiperise etnike domethen Shqiperia natyrale…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *