Home / Uncategorized / ÇAMËRI SHPIRTI T’LOTON – Nga LEK GJOKA
preveza

Abedin Dino Preveza në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit

Abedin Pasha Dino Cameria

Emri i Abedin Dinos lidhet ngushtë me një nga çastet më të lavdishme dhe më dramatike të historisë së Shqipërisë.  Kontributi më i madh për çështjen kombëtare i Abedin Dinos ka qenë në kuadër të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Patriotët shqiptar nuk mund të pranonin më as nënshtrimin ndaj sllavëve fqinj ose vazhdimin e nënshtrimit ndaj turqve. Dëshira e tyre për pavarësi të plotë qe ndezur akoma më shumë nga përvoja e autonomisë lokale, të përfituar nga pashallarët e Shkodrës e Janinës, si dhe nga fitorja e lirisë nga arbërorët në Greqi. Gjatë qëndrimit të tij pranë Portës së Lartë ka mbrojtur fuqishëm jo vetëm trojet e Shqipërisë së Poshtme por edhe ato të Shqipërisë së Sipërme duke vendosur mbi interesat e tij vetjake interesat kombëtare.

Ai lindi në prill të vitit 1843 në qytetin e Prevezës, një qytet i themeluar qysh gjatë periudhës antike. Mësimet e shkollës fillore dhe plotore i ndoqi në shkollën e vendlindjes. Më pas mbaron gjimnazin “Zosimea” të Janinës, një gjimnaz në të cilin kanë studiuar disa prej personaliteteve të Shqipërisë si Naim e Sami Frashëri, Ismail Qemal bej Vlora, Hasan Tahsini etj. Gjatë kësaj periudhe Abedin Dino pajiset me njohuri dhe dije. Ai njihte një sërë gjuhësh të huaja si greqishten moderne, greqishten e vjetër, latinisht, italisht, frëngjisht, arabisht, persisht, turqisht, por mbi të gjitha shqip.

Në vitin 1864 thirret në Stamboll dhe bën pjesë në gardën ushtarake të sulltanit Abdyl Azizit me detyrën e adjutantit. Në pallatin mbretëror ai merr njohuri ushtarake dhe edukim në disa fusha të kulturës. Në këtë kohë nis dhe veprimtaria politiko – diplomatike e tij. Detyrat e tij të para qe emërimi i tij në vendlindje në postin e ndihmës prefektit të Prevezës, duke vazhduar si prefekt i kazasë së Artës. Nga këtej fillojnë dhe ngritjet në detyrë, si kryetar i Këshillit Juridik dhe kryetar i Këshillit të Jashtëzakonshëm të Izmirit, duke vazhduar në postin e prefektit në Sofje të Bullgarisë, Terfurdag, Varën të Detit të Zi etj. Në vitin 1871 Abedin Dino transferohet si nëpunës i shkallës së parë dhe ngarkohet me detyrën e komisarit të Bursës në Stamboll, detyrë që e kryen për pesë vjet. Në vitin 1876 si anëtar i Këshillit të Jashtëzakonshëm në Asamblenë Otomane kundërshton kërkesat serbo malazeze duke hedhur parullën “Asnjë pëllëmbë tokë nuk u duhet lëshuar të huajve”.

Viti 1878 shënon agimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit, i cili për të mos shkaktuar reagimin e hapur të organeve qeveritare osmane vepronte në fshehtësi të plotë. Qarqet atdhetare shqiptare të përfaqësuara nga Komiteti Kombëtar i Stambollit qenë ndarë në dy grupime, për sa i përkiste karakterit dhe programit që duhet të kishte Lidhja e Përgjithshme.

Edhe pse në poste të rëndësishme shtetërore pranë Portës së Lartë, Abedin Dino nuk nguron të angazhohet edhe në çështjen kombëtare. Ai zgjidhet anëtar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësive Shqiptare, i themeluar në fshehtësi në Stamboll në dhjetor të 1877. Që në këtë moment fillon edhe angazhimi i tij i drejtpërdrejt në çështjen shqiptare. Gjatë viteve 1877 – 1878 Abedin Dino qëndron në Çamëri, ku edhe kryen një sërë takimesh me popullsinë e kësaj krahine duke përpunuar dhe projekte konkrete për mbrojtjen e vendit.

Gjatë muajit shkurt 1878, tensionin politik të shqiptarëve e rriti edhe më shumë ekspedita që organizoj qeveria greke kundër trojeve kombëtare të Shqipërisë. Më 12 shkurt 1878 një bandë e madhe greke me rreth 600 “vullnetarë” të ashtu quajtur epirotë, të rekrutuar në Greqi e të komanduar nga oficerë grekë zbarkuan nga ishulli i Korfuzit në fshatin Lëkurës, afër Sarandës. Pasi ngritën flamurin grek shpallën fillimin e “kryengritjes greke” në viset e Epirit. Duke shpresuar se aksioni i tyre do të qe sinjal për shpërthimin e një kryengritje të përgjithshme nga ana e popullsisë vendase, ata pushtuan Sarandën, fshatin Çukë e Gjashtë. Përkundrazi popullsia vendase shqiptare jo vetëm që nuk u bashkua me bandën greke, por u ngrit kundër saj. Abedin Dino si komandant i operacionit, në krye të 2400 vetave së bashku me të vëllain, Veselin, drejtoj luftimet duke i detyruar forcat greke që më 23 shkurt të tërhiqeshin me humbje të mëdha nga Lëkurësi.

Kontributi më i madh për çështjen kombëtare i Abedin Dinos ka qenë në kuadër të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Patriotët shqiptar nuk mund të pranonin më as nënshtrimin ndaj sllavëve fqinjë ose vazhdimin e nënshtrimit ndaj turqve. Dëshira e tyre për pavarësi të plotë qe ndezur akoma më shumë nga përvoja e autonomisë lokale, të përfituar nga pashallarët e Shkodrës e Janinës, si dhe nga fitorja e lirisë nga arbërorët në Greqi. Viti 1878 shënon agimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit, i cili për të mos shkaktuar reagimin e hapur të organeve qeveritare osmane vepronte në fshehtësi të plotë. Qarqet atdhetare shqiptare të përfaqësuara nga Komiteti Kombëtar i Stambollit qenë ndarë në dy grupime, për sa i përkiste karakterit dhe programit që duhet të kishte Lidhja e Përgjithshme.

Rryma radikale synonte themelimin e një lidhje shqiptare e cila duhej të mobilizonte popullsinë e në emër të të drejtave kombëtare të Shqipërisë dhe ta drejtonte atë në luftë për ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut, duke kërkuar në të njëjtën kohë krijimin e një vilajeti autonom shqiptar ose po të lejonin rrethanat ndërkombëtare të një shteti autonom. Sipas udhëheqësve të kësaj rryme Lidhja Shqiptare duhej përgatitur për të luftuar në përshtatje me rrethanat që do të krijoheshin, jo vetëm kundër shteteve shoviniste fqinje por edhe kundër Perandorisë Osmane.
Rryma e dytë në lëvizjen kombëtare ishte ajo i të moderuarve, që përfaqësohej nga personalitete të njohura atdhetare si Ali bej Gucia, Iliaz pashë Dibra, Mehmet pashë Biçaku, Omer pashë Vrioni si dhe nga Abedin Dino. Këto personalitete kërkonin që Lidhja e Përgjithshme të kishte karakter kombëtar. Ata pranonin në parim edhe idenë e një vilajeti të bashkuar autonom shqiptar, të pajisur me një autonomi administrative e kulturore.

Më 10 qershor 1878 Kuvendi Kombëtar krijoi në Prizren Lidhjen Shqiptare, Abedin bej Dino zgjidhet anëtar i kryesisë së Lidhjes, duke e lidhur emrin e tij ngushtë me veprimtarin e saj. Vendimi kryesor i dalë nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit qe kundërshtimi i copëtimit të trojeve shqiptare dhe mbrojtja e tërësisë tokësore të Shqipërisë me çdo kusht. Ky vendim u morr në unanimitet të plotë nga të gjithë delegatët përfaqësues në Kuvend.

Më 13 qershor nisi punimet Kongresi i Berlinit. Zyrtarisht ky Kongres u thirr për të rishikuar vendimet e Traktatit të Shën Stefanit. Edhe pse çështja shqiptare do të zinte vend të veçantë gjatë kongresit ajo nuk u ftua të merrte pjesë në të. Por gjithsesi Lidhja Shqiptare dërgoi një delegacion të përbërë prej Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit, të cilët bënë lutje për njohjen e Shqipërisë por më kot. Të nxitur nga vendimet e Kongresit të Berlinit më 20 qershor personalitete shqiptare si dhe anëtarë të Komitetit të Stambollit me në krye Abedin bej Dinon i drejtuan ministrave të Jashtëm të Fuqive të Mëdha një memorandum ku protestohej në emër të popullit shqiptar kundër copëtimit territorial të atdheut dhe shtrohej kërkesa për ti dhënë Shqipërisë një rregullim të veçantë administrativ.

Abedin bej Dino nuk u mjaftua vetëm me dërgimin e telegrameve e memorandumeve pranë Fuqive të Mëdha e Portës së Lartë. Në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare në Dibër më 1 nëntor 1878, Abedin bej Dino caktohet një ndër 14 delegatët që do ti paraqisnin Portës së Lartë rezolutën e miratuar në Kuvend, ku kërkohej formimi i vilajetit autonom shqiptar.
Në kuadër të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abedin bej Dino do të bëhet udhëheqësi i saj kryesor për pjesën e poshtme të Shqipërisë (Çamërinë). Greqia e mbështetur edhe prej Fuqive të Mëdha shtoi presionin e saj ndaj tokave shqiptare duke i kërkuar me ngulm Portës së Lartë që ti lëshonte krahinën e Çamërisë. Në një situatë të tillë Porta e Lartë detyrohet të caktoj komisionin që do të diskutonte për caktimin e kufirit shqiptaro – grekë (turko – grekë). Në fund të nëntorit Abedin bej Dino emërohet një nga tre anëtarët e këtij komisioni.

Me të marrë vesh lajmin e mbajtjes së bisedimeve greko – turke shqiptarët filluan të organizoheshin për të përcaktuar qëndrimin që duhej të mbanin ndaj këtyre bisedimeve. Në dhjetor 1878 në Murgj para 14 mijë ushtareve Abedin bej Dino zhvillon një takim ku bën thirrje për mbrojtjen e vendit. Në një letër që Abdyl Frashër i dërgon Iliaz Dibrës më 20 dhjetor 1878 shkruan “…prej këndej (Delvinë) shkova në Prevezë, Abedini doli vetë fshat më fshat me shkresat e përfaqësimit dhe i vulosi nëpër katunde dhe qytete dhe më tha se ishte gati të shkoj edhe në Stamboll si përfaqësues i kësaj krahine…”

Pikërisht në këto kushte Komiteti Ndërkrahinor i Janinës ftoi gjithë kazatë e Shqipërisë së jugut dhe sanxhakët e Shqipërisë së veriut që të dërgonin sa më parë përfaqësuesit e tyre në një kuvend të jashtëzakonshëm në Prevezë. Ky kuvend u mblodh më 11 janar 1879 në shtëpinë e Abedin Dinos, i cili ishte një ndër delegatët më aktiv. Kështu Abedini vuri në shërbim të çështjes kombëtare jo vetëm veten por edhe banesën e tij, duke mos kursyer asgjë. Lidhja e jugut mori një varg vendimesh. Në rrugë diplomatike u kërkoi Fuqive të Mëdha të hiqnin dorë nga lëshimi i Epirit, Greqisë dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të luftuar. Në një situatë të tensionuar mes protestash nga populli shqiptar, më 6 shkurt 1879 nisën bisedimet mes delegacionit grekë dhe atij turk për caktimin e kufirit jugor.

Emërimi i Abedin Dinos në delegacionin përfaqësues të Portës së Lartë dëshmonte mbështetjen që Porta i jepte shqiptarëve si dhe përpjekjet e saj për qetësimin e opinionit publik shqiptar. Presioni i fortë i shqiptarëve e detyroi delegacionin turk të mos u nënshtrohej kërkesave greke, dhe pas 6 javësh bisedime Konferenca e Prevezës u mbyll. Meritë për mos realizimin e kërkesave të palës greke i takon edhe Abedin Dinos, i cili me vendosmëri nuk pranoi që krahina e Çamërisë ti jepej Greqisë. Për këtë sukses të tij në Konferencën e Prevezës, Abedin Dino thirret në mars të 1879 dhe gradohet nga sulltani me titullin pasha (gjeneral).

Pas dështimit të Konferencës së Prevezës Lidhja Shqiptare formoi bindjen se mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë nuk mund të zhvillohej me sukses vetëm me anë të memorandumeve e të protestave. Në mars të 1789, Komiteti i Lidhjes së Prizrenit vendosi të dërgojë një delegacion në pesë kryeqytetet e Fuqive të Mëdha (duke përjashtuar Rusinë). Në përbërje të delegacionit morën pjesë Abdyl Frashëri, Mehmet Ali Vrioni e Abedin Dino. Gjatë gjithë turneut në Romë, Paris, Londër, Berlin e Vjenë Abedin Dino e kreu misionin e tij në heshtje duke u ruajtur nga çdo lloj ekspozimi, pasi kjo do të dëmtonte çështjen shqiptare.

Në tetor Abedin pashë Dino emërohet kryetar i komisionit për zbatimin e reformave në Kurdistan. Në këtë post qëndron për një periudhë gjashtë mujore dhe në prill të vitit 1880 Abedini fillon punën si vali i vilajetit të Selanikut. Më 10 qershor 1880, Abedin Dino thirret në Stamboll ku i jepet rangu i vezirit dhe emërohet në postin e Ministrit të Punëve të Jashtme në Perandorinë Osmane. Emërimi i tij në këtë post është cilësuar nga historiani Shkëlzen Raça si një emërim jo i merituar, por që kryhej për shkak të bindjeve pro osmane të Abedin Dinos, i cili për hir të pasurisë dhe privilegjeve vetjake sakrifikonte edhe identitetin e vet kombëtar.

Edhe pse në poste të larta shtetërore Abedin Dino nuk nguron të mbroj çështjen kombëtare. Kështu në fund të korrikut të vitit 1880, ai vendos nënshkrimin përfundimtar mbi mos aneksimin e Çamërisë nga ana e shtetit grek. Këtë herë me përgjegjësin e ministrit të jashtëm të Perandorisë Osmane në letër përgjigjen që u dërgon ambasadorëve të Fuqive të Mëdha lidhur me rishikimin e kufirit shqiptaro – grek, ndër të tjera, shkruan:

“ …a do të ishte e mundur që Porta e Lartë t’u hiqte shqiptarëve zotërimet e disa vendeve të tjera që u përkasin racës (kombësisë) së tyre, veçanërisht atë të Çamërisë e banuar kryekëput me shqiptarë?! … Si mund të pranojë të lëshojë Janinën, po të merret parasysh që shqiptarët e kanë quajtur gjithmonë atë si kryeqytetin e Shqipërisë së Poshtme dhe mbrojnë zotërimin e saj me aq këmbëngulje?!…” 

Në postin e ministrit të jashtëm Abedin Dino qëndroi deri në muajin shtator, pasi kuptoi se sulltani po prirej të pranonte vullnetin e Fuqive të Mëdha për dorëzimin e Ulqinit dhe nga ana tjetër Fuqitë e Mëdha po përdornin dhunën ndaj shqiptarëve, ai jep dorëheqjen. Në një notë që ai u dërgon ambasadorëve të Fuqive të Mëdha refuzon propozimin e këtyre shteteve evropiane për ti dorëzuar Malit të Zi Ulqinin në vend të Hotit e Grudës zënë nga forcat shqiptare të Lidhjes

“Ulqini me rrethet e tij me popullsinë e vetë krejt myslimane është konsideruar gjithmonë pjesë e Shqipërisë së Sipërme”.

Kështu Abedin Dino gjatë qëndrimit të tij pranë Portës së Lartë ka mbrojtur fuqishëm jo vetëm trojet e Shqipërisë së Poshtme por edhe ato të Shqipërisë së Sipërme duke vendosur mbi interesat e tij vetjake interesat kombëtare. Për këto qëndrime të tij që binin ndesh me Portën e Lartë, ai internohet në Adëna si vali, ku qëndron për një periudhë rreth pesë vjeçare. Më pas ai emërohet vali në Sivës ku qëndron deri në 1894, kur kalon në detyrën e valiut në arkipelagun e Mesdheut me qendër në Rodhos ku qëndron deri në 1904.

Kulmi i shkëlqimit të tij politik mbetet viti 1904, kur thirret nga sulltan Abdyl Hamiti në Stamboll për të marrë detyrën e lartë të Krye vezirit të Perandorisë Osmane, por krejtësisht papritur vdes në oborrin e madh. Në shtypin shqiptar si dhe në këngët popullore shkruhet se Abedin Dinon e helmoj sulltan Abdyl Hamiti . Ekziston edhe një hipotezë tjetër për vdekjen e tij ku thuhet se u helmua nga një agjente ruse që punonte në pallatin perandorak.

Abedin Dino edhe pse gjatë veprimtarisë së tij politike e diplomatike i ka shërbyer me mund dhe përpjekje çështjes kombëtare, shpesh figura e tij është denigruar duke e cilësuar atë “thjeshtë vetëm teoricien të ideve – kryesisht tejet konfuze – përparimtarë, por, kur vinte puna e sendërtimit ai dilte jashtë bote, jo praktik, egoistë, nuk dëshironte të sakrifikonte as grimcën më të vogël të qetësisë, interesave dhe sigurisë së tij.” Sidoqoftë Abedin Dino mbetet një ndër udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare për Jugun, i cili në vitet 1878 – 1880 që veproi në Çamëri dhe gjatë kohës që ishte Ministër i Jashtëm i Perandorisë Osmane, luajti rol të rëndësishëm në sabotimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit e në mbrojtje të tërësisë tokësore të Shqipërisë.

Dervish Hima në revistën e tij “Shqiptari i ilustruar ” më 1911 do të shkruante: “Abedin Pasha përfaqëson një nga figurat më të nderuara të popullsisë fisnike shqiptare, pa asnjë përkrahje vetëm në saj të aftësive dhe dijeve personale të tij arriti të zërë funksione të larta, dhe mbrojti me heroizëm atdheun”. Abedin Dino mundi të fitoj një autoritet të madh në botën politike dhe diplomatike të asaj kohe. Kontributi i tij për Çështjen Kombëtare ka qenë mjaftë i rëndësishëm, duke e lidhur emrin e tij ngushtë me Rilindjen Kombëtare Shqiptare.

About AAOC

Check Also

Shqipëria 76 vjet në luftë me Greqinë

Nga genocidi grek deri tek pranimi i Çështjes Çame në Bruksel. Një histori e marrëdhënieve …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *